Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e zhgënjyer me përgjigjen e ekzekutivit të vendit ndaj propozimit të saj për heqjen e një anshme të tarifave ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani pritet t’i propozojë Kuvendit të Kosovës pas konstiuimit një projektligj për heqjn e tarifës doganore prej 10 për qind ndaj SHBA-së.
Vjosa Osmani e cilësoi si të turpshëm faktin që Kosova nuk ka fare tarifa ndaj Serbisë, por ka tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara.
”Llogariteni sot në prill 2025 Kosova ka zero tarifa ndaj Serbisë, kurse i ka vënë tarifa aleatit të saj SHBA-ve, për mua s’ka turp më të madh dhe në vend se të mirëpritet një propozim nga presidentja e Kosovës, unë nuk jam presidentja e Serbisë, jam e Kosovës, propozimet edhe nga qytetarët kur vinë duhet të mirëpriten le më nga presidentja e Republikës së Kosovës”, theksoi Osmani në një intervistë në Rubikon të Klan Kosovës.
E para e shtetit tutje tha se përgjigjen e Qeverisë Kurti se tarifat ndaj SHBA-së mund të hiqen pas arritjes së një marrëveshje për tregti të lirë e sheh si refuzim ndaj propozimit të saj, derisa theksoi se ky qëndrim i ka dëmtuar rëndë raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë pash refuzim, sepse të thuhet këtë do ta bëjmë vetëm nëse negociojmë marrëveshje të tregtisë së lirë, kushdo që e di se si shkojnë këto punë marrëveshjet e tregtisë së lirë njëherë janë në radhë goxha do shtete para nesh, kur t’i vije radha Kosovës humbet momentumi dhe atë ditë është bërë dëm tepër i madh në momentin kur në vend se të ecet përpara menjëherë, sepse Kosova është dashur që njëanshëm të ia largoj Amerikës atë 10%, për mua s’ka asnjë racionalitet që me Serbinë të mos ketë tarifa kurse me Amerikën të ketë tarifa, kjo ka të bëj me aleanca”, tha Osmani.
Ajo tha se ka biseduar me disa deputetë zgjedhur, që ta votojnë një projektligj për heqjen e taksës doganore ndaj SHBA.
“Një draftligj do t’i propozohet Kuvendit të Kosovës, presim të kalojë për heqjen e tarifës prej 10 për qind ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në momentin që do të konstituohet Kuvendi, kam biseduar me disa deputetë të zgjedhur për ta votuar”, theksoi Osmani.
Ajo shpreson që të martën e 15 prillit do të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re.
SHBA ka vendosur tarifë doganore edhe ndaj Kosovës prej 10 për qind sikur ndaj shumë shteteve të tjera.