Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Osmani: “Pjesëmarrja e ulët e nxënësve rom, ashkali e egjiptas në arsim është një plagë që kullon – Qeveria ka bërë pak ose aspak për ta ndryshuar këtë gjendje”

Osmani: “Pjesëmarrja e ulët e nxënësve rom, ashkali e egjiptas në arsim është një plagë që kullon – Qeveria ka bërë pak ose aspak për ta ndryshuar këtë gjendje”

Në Raportin e Progresit Evropian për Kosovën, është theksuar se vetëm 31 për qind e nxënësve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas arrijnë arsimin e mesëm të lartë, krahasuar me 87 për qind, sa është mesatarja në nivel vendi.

Lidhur me këtë çështje, njohësi i arsimit, Argjend Osmani, në një prononcim për TV Arberia, ka thënë se ky është një problem i thellë që kërkon veprime urgjente nga institucionet.

“Sa i përket pjesëmarrjes së ulët të nxënësve të komunitetit rom, ashkali e egjiptas në arsimin e mesëm e të lartë, mendoj se kjo në të vërtetë është një brengë dhe një plagë që kullon”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka theksuar se mungesa e përfshirjes së këtyre komuniteteve në arsim lidhet ngushtë me faktorët ekonomikë dhe socialë.

“Në Kosovë në vazhdimësi kemi pasur pjesëmarrje të ulët të këtyre komuniteteve në nivelet e arsimit, dhe kjo lidhet pa dyshim me gjendjen sociale dhe ekonomike, me vetëdijen e këtij komuniteti për rëndësinë e arsimimit”, ka shtuar ai.

Sipas Osmanit, qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për ta përmirësuar këtë situatë.

“Qeveria deri më tani mund të themi se ka bërë pak apo aspak që këtë ta ndryshoj”, ka theksuar ai, duke shtuar se nevojiten masa konkrete për përfshirjen e këtyre komuniteteve në sistemin arsimor.

“Duhet të ndërmerren hapa konkretë – përmes fushatave vetëdijesuese, përmes dhënies së bursave, dhe përkrahjes nga shoqëria ndaj këtij komuniteti”, ka theksuar Osmani.

Në fund, ai ka apeluar që të gjitha komunitetet në Kosovë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë qasje të njëjtë në arsim.

“Edhe ata janë pjesë e shoqërisë sonë multietnike kosovare, dhe ne duhet të kujdesemi për të gjithë që të jenë të barabartë dhe të mos mbesin të paarsimuar”, ka përfunduar Osmani.