Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Brian Mast, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë vizitës së paparalajmëruar që po zhvillon në Washington.
Osmani ka thënë se me Administratën Trump synojnë thellimin e bashkëpunimit në fusha si mbrojtjen, investimet strategjike si dhe vazhdimin e punës së përbashkët për forcmimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet jetike për shtetin tone”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se me Mast ka folur për lidhjen historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara –që ka thënë se është një aleancë e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim për paqe e siguri./Reporteri.net
Ndryshe, vizita e Osmanit në DASH vjen dy ditë pasi i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X.