Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot drejt Gjermanisë, ku ka mbajtur një fjalim në Aspen Institute në Berlin. Në këtë paraqitje, ajo ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është e lidhur ngushtë me demokracinë, miqësinë ndërkombëtare dhe vlerat euroatlantike.
“E ardhmja e Kosovës është e rrënjosur në demokraci, e ndërtuar me miq, dhe e udhëhequr nga vlerat euroatlantike,” ka shkruar Osmani në një postim në Facebook pas fjalimit të saj.
Presidentja theksoi se Kosova është një shtet që ka përqafuar reformën si rrugë drejt zhvillimit dhe forcimit të demokracisë. “Në Aspen Institute në Berlin, fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik,” u shpreh ajo.
Osmani ka ripërsëritur se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pandryshueshëm dhe se rruga e vendit është e qartë: drejt strukturave të sigurisë dhe integrimit evropian. “Por një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike,” theksoi Presidentja Osmani.