Presidentja Vjosa Osmani tha se “mërgata shqiptare është padyshim shtylla e lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve”.
Në një fjalim në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku po mbahet edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, Osmani tha se “mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, pavarësi e shtetndërtim”.
Osmani e theksoi këtu edhe gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Tha se në mbështetje të kauzës së tyre “duhet dhe do të jemi një”.
“Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, të mos harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik, që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithmonë, ju themi edhe sot: ju nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc. Prandaj edhe në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës foli për “roli historik i mërgatës shqiptare”, duke përmendur se si gjatë luftës në Kosovë, “shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan vargonit të lirisë duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si mbrojtës të vendit tonë”.
/TV Arbëria