Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën gjatë një takimi me të ngarkuarën me punë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Sipas njoftimit, duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë ajo ka theksuar tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe.
Tutje thuhet se edhe Osmani ka theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie.
“Ajo falenderoi të gjitha institucionet e sigurisë për punën në mbrojtje të vendit dhe diskutoi me znj. Prattipati rreth bashkëpunimit të vazhdueshëm me SHBA në këtë drejtim. Presidentja poashtu e njoftoi znj. Prattipati edhe për hapa të tjerë konkret që do të ndërmarrë, brenda kompetencave të saj kushtetuese, për ta thelluar aleancën strategjike me SHBA-të, dhe për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.