Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
“Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Ky takim u zhvillua pasi kanë mbetur edhe pak ditë nga përfundimi i afatit 30-ditësh të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Osmani gjatë takimit theksoi se aktgjykimi i Kushtetueses është detyrim dhe i ftoi deputetët të bashkëpunojnë për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituim.
“Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit,” thuhet në njoftim.