Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar dëshmorët e rënë në përvjetorin e epopesë së Rahovecit, shkruan TV Arbëria.
Osmani shkruan se, para 27 vitesh, forcat serbe vranë rreth 100 gra, fëmijë e pleq.
Presidentja tutje ka thënë se Rahoveci është plagë, dhimbje, por edhe kujtesë për të kërkuar drejtësi.
Komunikata nga Presidenca e Kosovës:
Presidentja Osmani: Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve
Nga 17 e deri më 26 korrik 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë e ekzekutuan rreth 100 gra, fëmijë e pleq, shumica të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe rrethinë.
Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve.
Rahoveci është plagë, dhimbje, por edhe kujtesë që na frymëzon ta çojmë përpara betejën për drejtësi.
Kujtimi për viktimat është i përjetshëm, teksa zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë, derisa ajo të ngadhënjejë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë!