Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Osmani në kullën e Haradinajve për Epopenë e Dukagjinit

​Osmani në kullën e Haradinajve për Epopenë e Dukagjinit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, në 27 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

Pas homazheve ajo qëndroi edhe Kullën e Haradinajve ku u prit nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i Zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Në kullë ndodheshin edhe Rifat Jashari e Bekim Jashari e shumë familjarë të dëshmorëve, por edhe bashkëluftetarë.

Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete në atë që njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit.

Aktivitetet e shënimit të Epopesë së Dukagjinit janë organizuar nga Komuna e Deçanit dhe kanë filluar më 21 mars, ndërsa sot mbahen homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, nga ora 11:00-12:00 dhe një program artistik te Kulla e Haradinajt nga ora 13:00.

Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.

Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.