Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Osmani në Bruksel: Hiqen masat e padrejta ndaj Kosovës, rriten thirrjet për statusin e vendit kandidat

Osmani në Bruksel: Hiqen masat e padrejta ndaj Kosovës, rriten thirrjet për statusin e vendit kandidat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfaqësuar Kosovën në Bruksel gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. Ajo ka njoftuar se ka falënderuar Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj integrimit evropian të Kosovës, duke theksuar nevojën për heqjen e plotë të masave ndaj vendit.

“Pas njoftimit për heqje të pjesshme të masave, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së tyre të plotë, meqë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian tanimë janë plotësuar”, ka deklaruar Osmani. Ajo ka shtuar se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët evropianë deri në heqjen e plotë të këtyre masave.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Presidentja Osmani është pritur edhe nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa. Ajo ka mirëpritur vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar konstruktivitet dhe përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka shprehur gjithashtu pritjet që Kosova, mbi bazën e meritave, të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas saj, takimet intensive në Bruksel kanë sjellë rezultate konkrete për Kosovën.

“Më në fund u mor vendimi që të hiqen masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës”, ka deklaruar Presidentja, duke falënderuar liderët e BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë për vlerësimin e angazhimit të Kosovës.

Pas këtij zhvillimi kanë reaguar edhe eurodeputetë. Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka qenë kritik ndaj politikës së deritanishme të BE-së ndaj Kosovës.

“Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të rifillojmë rrugën evropiane të Kosovës. Të radhës: të përpunojmë kërkesën e anëtarësimit të Kosovës që ka mbetur pezull prej vitesh”, ka shkruar ai, duke kërkuar që aplikimi për statusin e vendit kandidat të procedohet pa vonesa.

Ndërkohë, deputetja britanike Alicia Kearns ka mirëpritur heqjen e pjesshme të masave, duke theksuar se ato nuk është dashur të vendosen kurrë ndaj Kosovës. Ajo ka rikujtuar se Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet komunale, ndërsa gjatë vitit 2023, paramilitarë të mbështetur nga Serbia kanë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Duke iu referuar sulmit në Banjskë, Kearns ka deklaruar se “Milan Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të përballen me drejtësinë”, duke theksuar se fokusi duhet të jetë forcimi i sigurisë rajonale dhe orientimi euro-atlantik i Kosovës.

Po ashtu, Ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar pas heqjes së plotë të masave të BE’së ndaj Kosovës.

“Më mirë vonë se kurrë. Pas heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, është koha që BE të rishikojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe t’i japë statusin e kandidatit”, ka shkruar Bushati në “X”.

/TVArbëria