Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se minatorët e Trepçës janë pishtarë të lirisë, dëshmitarë të guximit dhe krenari kombëtare
E para e vendit, në Facebook shkroi se greva e tyre e vitit 1989, nuk ishte vetëm një akt sindikal, por një shpërthim i ndërgjegjes kombëtare.
“Më 20 shkurt 1989, në horizontet e minierës së Trepçës, jehoi zëri i fuqishëm i qëndresës shqiptare. Me shpirtin e pathyeshëm, minatorët nisën një grevë urie që tronditi themelet e padrejtësisë. Tetë ditë në galeritë nëntokësore, ata nuk kërkuan pasuri për vete, por të drejtat kushtetuese të Kosovës. Ata protestuan, duke sfiduar një regjim që donte ta shuante identitetin tonë kombëtar. Greva e tyre nuk ishte vetëm një akt sindikal, por një shpërthim i ndërgjegjes kombëtare, tha Osmani.
“Nderim dhe kujtesë e përhershme për minatorët, të cilët ishin dhe mbeten pishtarët e lirisë, dëshmitarë të guximit dhe krenarisë sonë kombëtare”, shtoi ajo./TV Arbëria./