Presidentja Vjosa Osmani ka folur lidhur me “nuancat” që ka në qëndrime me kryeministrin Albin Kurti, lidhur me tema të caktuara.
Osmani ka thënë se me Kurtin kanë debate të gjata dhe se ka raste kur nuk pajtohen me javë të tëra në këto debate.
“Nuk them që kemi konflikte, ka nuanca, është krejtësisht normale, është krejtësisht normale që ka nuanca për tema të ndryshme, nga temat e brendshme te temat e diskutimeve, bashkërendimeve me aleatatë, mirëpo qëllimet i kemi të njëjta, sidomos rreth temave të brendshme. Kemi debate të gjata, nganjëherë nuk pajtohemi me javë të tëra në këto debate, por pastaj e arrijmë një pajtim”, ka thënë Osmani.
Por, pavarësisht këtyre debateve, thotë se asnjëherë nuk e ndërprejnë komunikimin. Osmani ka thënë se ajo dhe Kurti e respektojnë shumë mendimin e njëri-tjetrit, por se as nuk i kursejnë kritikat.
“Ne komunikojmë, nuk e ndërprejmë komunikimin në asnjë moment edhe kur kemi mospajtime të mëdha. Kjo besoj se është edhe formula e arritjes së pajtimit dhe fakti që e respektojmë shumë mendimin e njëri tjetrit dhe besojmë në qëllimet e përbashkëta që kemi, që janë interesi i Kosovës, interesi i qytetarëve të saj, na sjell prapë në një pikë të përbashkët, por as nuk i kursejmë kritikat të them shumë sinqerisht”, ka deklaruar Osmani.
/TV Arbëria