Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Osmani kujton Masakrën e Izbicës: Forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, mes tyre edhe një vajzë 6-muajshe

Osmani kujton Masakrën e Izbicës: Forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, mes tyre edhe një vajzë 6-muajshe

Presidentja Vjosa Osmani sot 26 vjet pas ka kujtuar Masakrën e Izbicës, një nga masakrat më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve nga forcat serbe.

Osmani tha se kujtesa historike është në funksion të respektimit të të kaluarës sonë, dokumentimit, sikurse edhe ndërtimit të së ardhmes.

“Ndaj sot kujtojmë 26 vjetorin e masakrës së Izbicës, kur forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, në mesin e të cilëve edhe vajzën 6-muajshe, Dafina Qelaj. Ajo dhe të tjerët u vranë në shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë. Mizoria në Izbicë, mbetet e skalitur në kujtesën tonë, duke na sjell në vëmendje çmimin e lirisë”.

Në tentim për t’i fshehur gjurmët e krimit, Osmani tha se viktimat civile regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë.

“Kujtimin për Izbicën dhe të gjitha masakrat gjithandej Kosovës do ta mbajmë gjallë gjithnjë si një dëshmi për rrugën e vështirë nëpër të cilën kaluam dhe si kërkesë të përhershme për drejtësi. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për 147 të vrarët në Izbicë!”.