Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi me zëvendëskryeministren sllovene Tanja Fajon, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, ka çmuar mbështetjen historike të Sllovenisë për Kosovën dhe për integrimin e saj ndërkombëtar.
Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë për angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, të cilën gjë e ka treguar edhe me emërimin e një emisari special.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe përkushtimi i përbashkët i thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve në fusha të ndryshme.
Osmani dhe Fajon diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit.
Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet palë konstruktive, por Serbia me obstruksionet e saj dhe duke përdorur bandat kriminale në veri të vendit po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta pengojë dialogun.
Megjithatë, presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se synim parësor mbetet integrimi euroatlantik i Kosovës. Në këtë drejtim, Osmani ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare.
/TV Arbëria