Gjatë qëndrimit në Islandë, presidentja e vendit Vjosa Osmani u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Islandës, Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir.
Në takim me ministren Reykfjörd Gylfadóttir është rikonfirmuar gatishmëria e të dyja vendeve për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në politikën e jashtme.
Ajo po ashtu ka thënë se Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës.
“Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe kontakteve përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të vendit tonë për promovimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. Ajo përmendi rëndësinë e madhe që ka për qytetarët e Kosovës avancimi tutje i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, duke thënë se Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndër të tjera, presidentja Osmani dhe ministrja Reykfjörd Gylfadóttir kanë diskutuar për situatën aktuale në rajon, Evropë dhe më gjerë, si dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar kundër akterëve antidemokratik, të cilët kanë qëllim destabilizimin dhe kërcënimin e vlerave të përbashkëta liridashëse.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e avancimit të rrugës euroatlantike të Kosovës, duke përmendur hapat e ndërmarra për përafrim me BE-në dhe NATO-n, si dëshmi e vendosmërisë së palëkundur të popullit të Kosovës për këtë proces.
/TV Arbëria