Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Viti para gazetarëve, duke folur për çështjen e Urës së Ibrit, tha se në takimet që ajo ka pasur me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk i është thënë se janë kundër hapjes së Urës.
Osmani ka thënë se ura mbi Ibër duhet të hapet patjetër në mënyrë që të jetë “sukses i përhershëm”, por jo që të nxisë prezencë më të madhe të NATO’s.
“Në takimet e mia me SHBA, asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së Urës, përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraparë hapjen e urës, por sikurse për cdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulen bashkë institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë dhe ta hartojmë së bashku planin e zbatimit, i cili i merr parasysh vlerësimet e sigurisë të Kosovës dhe aleatëve tanë dhe ju siguroj që në shumicën e rasteve ato janë identike se institucionet bashkëpunojnë dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të zgjidhet momenti më i volitshëm që çështja e hapjes së urës të jetë sukses i përhershëm, jo i momentit. Ajo urë nuk është dashur të mbyllet kurrë, ajo është mbyllur për arsye komplet politike. Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interesin e Kosovës që të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin. Ne nuk kemi arsye të jemi në konflikt me aleatët tanë”, tha Osmani.
Ajo foli edhe për deklaratat se cështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në Bruksel.
Sipas saj, në rast se ndodh kjo është anti kushtetuese dhe kundër sovranitetit të Kosovës.
Osmani shtoi se zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, nuk i pyet shtetet fqinje kur e kalon një urë në shtetin e tij. Kështu, ajo tha se Serbia nuk duhet të pyetet për një urë në territorin e Kosovës.
Osmani theksoi se dialogu duhet të bëhet me “shpëtimtarët tanë”.
“Deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështu që nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste, gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel, nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi, më duket është nga Sllovakia, që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dialog me Serbinë për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të ishte kundër kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës, por dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo vetëm që është e nevojshme dhe domosdoshme, por është në interesin tonë mbi të gjitha”. /GazetaExpress/