Presidentja Vjosa Osmani në konferencën për medie tha se sapo ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për “të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës”.
“Dua t’ju njoftoj, të nderuara media, të nderuar qytetarë, që sot, në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.
Osmani tha se e paraqiti këtë kërkesë “pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë. Përkundër aktgjykimit të Kushtetueses” që ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh, “nuk shihet në horizont as konsensusi e as kompromisi për konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati kushtetues”.