Osman Osmani, kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka rrëfyer rrugëtimin e tij jetësor dhe motivimin për t’u angazhuar në politikën lokale, gjatë një interviste në emisionin “Pult” në Arbëria TV.
“Unë jam largu për shkak të përndjekjeve në nëntor të 1981 edhe me qenë më një vend të sigurt përderisa shokët e mi kanë vuajtë në burg, vuajtje të panumërta”, deklaroi Osmani.
Ai tha se gjatë qëndrimit në mërgim, përveç punës për ekzistencë, ka qenë vazhdimisht aktiv në jetën shoqërore, politike dhe sindikaliste, duke ndërtuar një karrierë të gjerë edhe në arsim.
“Unë kam jetu në një vend që njihet për mirëqenie, për të arritura në fusha të ndryshme të shoqërisë njerëzore dhe ato gjëra që unë i kam pa atje edhe që i kam ushtru, gjithmonë ja kam dëshiru edhe vendit edhe shoqërisë tanë”, tha ai.
Duke theksuar se përvoja nga Zvicra mund të jetë e vlefshme edhe për Prishtinën, ai u shpreh:
“Ky ka qenë motivi kryesor, që ato praktika pozitive që i kemi hasur në Zvicër, mundësisht me i apliku edhe këtu, përshtatur kushteve dhe rrethanave në Prishtinë.”
Sipas Osmanit, ndonëse rrethanat në Kosovë dhe Zvicër janë të ndryshme, shoqëria kosovare ka treguar historikisht solidaritet, bashkëpunim dhe vetë-përgjegjësi për mirëqenien kolektive.
“Janë kujdes për ekzistencë e mbijetesë, por gjithmonë bashkë janë tregu solidar edhe i kanë rregullu aspektet shoqërore për shkak që njerëzit janë vet përgjegjës për rregullimin e bashkëjetesës dhe marrëdhënieve shoqërore, ndërsa këto gjëra tjera janë të dhëna prej natyrës”, përfundoi ai.