Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, konform Kushtetutës, ka mbajtur adresimin e saj vjetor në Kuvendi para deputetëve.
Osmani pranoi se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfidë, duke shtuar se kjo situatë është “për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia i ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh përmes financimit të strukturave kriminale”.
Osmani tha se “bandat kriminale nuk do të mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë, edhe atyre në veri, për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovës”.
Shefja e shtetit tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e di mirë se ushtria serbe s’mund të kthehet më kurrë në Kosovë.
Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit, ka theksuar se në çdo ditë të këtij viti ka pasur këmbëngulje që shteti dhe ligji përfundimisht të mos u shërbejë vetëm disave, por të gjithëve.
“Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë. Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shprehë nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, ne jemi të vendosur që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit të vendit tonë. Bandat kriminale nuk mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë”.
Sipas saj, bandave kriminale nuk iu pëlqen as vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, as zbatimi i ligjit në tërë territorin e vendit.
“Mirëpo le ta kenë të qartë, kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë e nga e cila nuk heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë në veri”.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund më 12 qershor 1999. Më 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i Millosheviqit”.
Ajo ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, policinë e Kosovës të cilët pavarësisht sfidave po kujdesen për jetën e të gjithë qytetarëve tanë, si dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të sigurisë dhe inteligjencës për punën e tyre në mbrojtje të interesave të vendit.
“Puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit është edhe përpjekje për mbrojtjen e serbëve lokal nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të cilat kanë për synim presionin, frikësimin dhe kërcënimin e tyre. Kosova është një dhe e tërë, atdhe i të gjithëve, pra edhe i qytetarëve të komunitetit serb, siç është dhe i të gjitha komuniteteve të tjera, ndaj e kemi obligim kushtetues të kujdesemi për ta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim të Kosovës”. /TV Arbëria