Në adresimin e saj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi procesi i dialogut me Serbinë ka vetëm një epilogë e ajo është njohja reciproke. Ndërsa, theksoi se tërësia territoriale, kushtetutshmëria e sovraniteti i vendit janë të panegociueshëm.
Osmani u shpreh se pavarësisht dallimeve në pikëpamje, spektri politikë në vend do të jetë i bashkuar përballë Serbisë.
Osmani: Nohja reciproke tërësia territoriale, kushtetushmëria, rendi juridik e sovranitetin jonë janë të panegociueshme
“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, një epilog që e kemi thënë gjithsecili prej nesh një epilog që e rikonfirmoi edhe presidenti Biden në letrën e tij drejtua mua si presidente dje e ajo është njohja reciproke tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovranitetin jonë janë të panegociueshme”, theksoi Osmani.
Presidentja, Osmani para deputetëve dhe mysafirëve ndërkombëtarë të pranishëm në këtë seancë shprehu nderime për të rënës e luftës për liri, përfaqësuesit që kontribuuan në shtet-ndërtim.
Osmani: T’i kujtojmë bijtë e bijat tonë që të rreshtuar në UÇK sakrifikuan jetën e tyre
“Ta kujtojmë prijatarin e shtetësisë tonë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën i cili e siguroi respektin e gjithë botës demokratike, t’i kujtojmë bijtë e bijat tona t’i kujtojmë bijtë e bijat tonë që të rreshtuar në UÇK sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vendit, komandantin historik të kësaj ushtrie, Adem Jasharin që i priu rezistencës për liri, t’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura të Kosovës të cilët përgjatë këtyre 15 vjet kontribuuan në ndërtimin e jetës demokratike në vend por edhe në paqen e përgjithshme. Kujtojmë edhe kontributin e ushtarëve e policëve tanë, përfshirë ushtarët e FSK-së të cilët derisa sot ne po festojmë 15 vjetorin e shteti tonë, ata po luftojnë për shpëtimin e jetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë”, tha ajo.
Shefja e shtetit të Kosovës në këtë adresim për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për liri e shtet-ndërtim.
Sipas saj në këto 15 vite Kosova është forcuar dhe si shtet i ri ka dëshmuar kulturë demokratike.
Osmani: Institucionet tona po forcohen dita-ditës
“Në këto 15 vite Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri, ajo ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve i ka ndërtuar dhe zhvilluar kapacitetet e saj shtetërore dhe ka krijuar bazë solide për funksionim të mëtejshëm. Institucionet tona po forcohen dita-ditës e kjo është e arritur e madhe e qytetarëve tanë. Sfidat sigurisht kanë qenë të pranishme, por i kemi tejkaluar me urti duke qenë të përkushtuar për shtet të mirëfilltë e partneritet të qëndrueshëm me aleatët tanë. Këto sfida ndonjë herë na ka bërë të përplasemi së brendshmi nga që pikëpamjet tona kanë qenë të ndryshme sikur është e nënkuptueshme për shoqëritë demokratike”, u shpreh Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se Kosova fal përcaktimit të saj të hershëm po përpiqet që të fuqizoj edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.
Ajo tha se pavarësisht dallimeve në pikëpamje spektri politikë në vend do të jetë i bashkuar në përballjen me Serbinë.
Osmani: Në përballje me Serbinë duhet dhe do të jemi një
“Sot e kësaj dite forcat destruktive provojnë ta cenojnë shtetësinë tonë ato provojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre duke përdorur përpjekjen për ta thyer unitetin tonë historik karshi çështjeve madhore Por, nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla. Në përballje me Serbinë duhet dhe do të jemi një….Pavarësisht dallimeve në pikëpamje, ide dhe platforma politike spektri politik vendit do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen të minojnë shtetin tonë apo të pengojnë përparimin e tij. Ashtu siç kemi qenë të bashkuar gjithmonë dhe kurdo herë që e ka kërkuar interesi madhor i vendit”, tha presidentja Osmani.
Në këtë përvjetor të 15 të pavarësisë së Kosovës, krerët shtetëror kanë bërë homazhe në Prekaz duke nderuar familjen Jashari, varrin e ish presidentit, Ibrahim Rugova e varrin e veprimtaritë kombëtar, Adem Demaçinë. /TV Arbëria/
Osmani: Në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri