Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Osmani e konsideron “politik” raportimin për shkollimin e vajzave të saj, distancohet nga ndalimi i kameramanit: S’e kërkova unë

Osmani e konsideron “politik” raportimin për shkollimin e vajzave të saj, distancohet nga ndalimi i kameramanit: S’e kërkova unë

Presidentja është shfaqur sot në Presidencë në praninë e disa gazetarëve, të cilëve u kërkoi të mos i incizojnë vajzat e saj, një ditë pasi një kameraman i mediumit Paparaci u ndalua nga mbrojtja e saj e afërt.

Paparaci ka publikuar një video duke mohuar se janë incizuar vajzat e saj, ndërsa Vjosa Osmani tha se nuk ka qenë kërkesë e saj ndalimi i kameramanit, ndonëse në një reagim të djeshëm nuk e përmendi sjelljen e atyre që kujdesen për sigurinë e saj dhe të familjes. Këtë raportim, presidentja e konsideroi “politik”.

Osmani tha se vajzat e saj “mezi presin ditën që të shkojnë në shkollë pa përcjellje”.

“Incizimi i paautorizuar është vepër penale”, tha ajo, duke shtuar se te shkolla private ku vajzat e saj ndjekin mësimin, “ka qenë shenja që ndalohet incizimi i paautorizuar”.

Në një përpjekje për ta arsyetuar sjelljen, Osmani tha ndër tjerash: “Mos harroni se në këtë vend ka pasur vrasje për motive politike”.

Ajo tha se nuk është pyetur se ku e ndjekin mësimin vajzat e saj.

“Askush nuk më ka dërguar pyetje mua se ku i dërgon vajzat në shkollë”, tha ajo.

Prezenca e mbrojtjes, të cilën e quajti “profesionale”, tha se është “e përcaktuar me protokolle”.

“Kurrë nuk i kam sulmuar familjet e askujt. As kurrë nuk jam marrë me xhipat e askujt”, tha ajo.

Osmani tha se “kam përgjegjësi për veprimet dhe deklaratat e mia, jo të të tjerëve”.