Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, ka vlerësuar se gjendja aktuale e sistemit arsimor në Kosovë është “në vdekje klinike” dhe se për vite me radhë asnjë qeveri nuk e ka trajtuar këtë sektor me seriozitet.
Në një prononcim për TV Arbëria, Osmani ka thënë se problemi i arsimit në Kosovë është i thellë dhe i ndërtuar mbi vite keqmenaxhimi e mungesë vizioni.
“Gjendja aktuale e arsimit në Kosovë është në një vdekje klinike. Fatkeqësisht, shoqëria jonë dhe qeveritë asnjëherë nuk e kanë trajtuar seriozisht këtë gjendje dhe nuk kanë bërë përpjekje të vërteta për ta ndryshuar”, ka deklaruar ai.
Sipas Osmanit, qeveritë ndër vite janë “vetëlavdëruar për punë që nuk kanë sjellë asnjë rezultat real në terren”, duke e përdorur sistemin arsimor më shumë për interesa politike se për zhvillim të cilësisë.
“Gjithmonë janë krekosur se po punojnë, por në fakt ato përpjekje kanë qenë për t’i rehatua militantët dhe për të zhvatur fonde publike, duke e përkeqësuar gjendjen edhe më shumë”, ka theksuar ai.
Osmani ka theksuar se në Kosovë shpesh kërkohet një vlerësim nga të huajt për të kuptuar seriozitetin e situatës, ndërsa reagimi vendor është sipërfaqësor dhe afatshkurtër.
“Shoqërisë sonë i duhet dikush i huaj që t’ia thotë në sy atë që të gjithë e shohin. Vetëm atëherë mendojmë se duhet të bëjmë diçka, por kjo zgjat disa javë dhe më pas kthehemi në zakonet e vjetra”, është shprehur Osmani.
Ai ka bërë thirrje që arsimi të shpallet prioritet kombëtar, i mbështetur me fonde dhe projekte serioze, duke paralajmëruar se “pa këtë vetëdijësim, përmirësimi nuk do të ndodhë për dekada”.
“Është koha që shoqëria jonë, në krye me qeverinë, ta trajtojë arsimin si prioritet nacional. Investimet aktuale nuk janë të mjaftueshme dhe kjo qasje është plotësisht e gabuar”, ka përfunduar Osmani.