Shtetasi kosovar, 74-vjeçari Osman Selmani, i cili ishte arrestuar më 1 korrik të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë, kishte qenë duke u kthyer nga Medvegja në Prishtinë.
Përmes një postimi në Facebook, familja e tij tha se ka siguruar vërtetimin origjinal të Komitetit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, si dhe deklaratën e përfaqësuesit të organizatës “Nëna Terezë” nga Resnja, të cilat dëshmojnë se e gjithë familja Selmani, në kohën kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja në territorin e Prishtinës, ndodhej si familje refugjate në kamp.
“Babai ynë, Osman Selmani, tashmë muajin e dytë ndodhet në paraburgim në Beograd, mbi bazën e një akuze për një vepër të pretenduar të krimit të luftës të kryer në qershor të vitit 1999 në Kosovë, për të cilën ne si familje konsiderojmë se nuk është e mbështetur me prova relevante.Familja Selmani ka siguruar vërtetimin origjinal të Komitetit të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, si dhe deklaratën e përfaqësuesit të organizatës “Nëna Terezë” nga Resnja, të cilat dëshmojnë se e gjithë familja Selmani, në kohën kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja në territorin e Prishtinës, ndodhej si familje refugjate në kamp, e më pas në strehim familjar në Resnjë, në Maqedoninë e sotme të Veriut”, thuhet në postim.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar Selmanit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi ai u arrestua më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës.