Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Origjina e emrit Kosovë, historianët kanë mendime të ndryshme

Origjina e emrit Kosovë, historianët kanë mendime të ndryshme

Historia pjesën e territorit ku është sot Kosova, e njihte me emrin Dardani, si pjesë e një koncepti më të madh, të quajturi “Iliri”.

Shumë më e gjerë se pjesa ku tash shtrihet Kosova, Dardania e dikurshme arrinte deri në Nish në veri, duke ardhur deri në Shkup, në lindje kishte lumenjtë Morava e Varadari kurse në perëndim malet e Autoariatëve.

Mirëpo në shekullin e parë, para erës së re, kjo hapësire gjeografike bie nën sundimin romak, duke e bërë Dardaninë, provincë romake.

 

A mund të ketë origjinë ilire ky emër?

Një interpretim rreth origjinës ilire e thotë akademiku kroat Josip Rogliç, i cili në shkrimet e tij përmend se emrat gjeografik të Gadishullit Ilir janë të gjuhës ilire, kësisoj termi gjeografik “Kosova” i takon gjuhës së vjetër ilire.

Baza e tij mbështetet në atë se emërtimi ‘’Kosovë’’ haset edhe në disa vende si Dalmaci, Bosnje e Maqedoni Veriore.

“Duhet të them se emrin Kosovë ne si popull autokton nuk e hasim në kohën e Ilirisë dhe Dardanisë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bedri Muhadri.

“Është një fakt historik që ndoshta neve nuk na konvenon. Termin Kosovë e kemi shumë të vonshëm, e hasim vetëm në periudhën mesjetare”, deklaroi Muhamet Mala.

Supozohet se disa autorë e gjeografë, në shekullin e II-të të erës së re kur kishin kaluar nëpër territorin e Ilirisë, përmendin një qyetet me emrin “Kosovë”.

Siç është rasti i gjeografit Klaud Ptolomeu, në librin e tij “Gjeografia” e poashtu edhe autori Stephani Byzantini në veprën e tij “Mbi qytetet dhe popujt” kur përmend fiset ilire të asaj kohe, përmend qytetin e njëjtë.

Rreth shekullit të XV-të, Ipeshki i Ulqinit Martino Segano, por i lindur në Novobërdë, kur e kujton vendlindjen, në shkrimet e tij, ai përmend një luginë të quajtur “Kosovitza”, nëpër të cilën kalon lumi Llap e që arrin deri në Fushën e Kosovës.

Gjithashtu me po të njëjtin emër, tregtari dubrovnikas Michael de Luchari, në librin e tij “Libri i borxhlinjve” në vitin 1438 përmend një vendbanim “Chosouiza”.

Por disa autorë duke u mbështetur në dokumentet sllave, nuk përmendin ndonjë regjion të mesjetës të njohur me këtë emër./TV Arbëria 

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Themes by WordPress