Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Organizata Shqiptaria uron Presidenten e re, kërkon mbrojtjen e karakterit laik të Kosovës

Organizata Shqiptaria uron Presidenten e re, kërkon mbrojtjen e karakterit laik të Kosovës

Organizata Shqiptaria ka përshëndetur zgjedhjen e Justina Pula-Shirokës Presidente të Republikës së Kosovës, duke e uruar për marrjen e detyrës së re shtetërore.

Në një deklaratë të publikuar më 7 tetor, organizata ka përshëndetur edhe miratimin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e cilësuar si një zhvillim të rëndësishëm institucional.

Organizata Shqiptaria ka theksuar se me marrjen e detyrës, Presidentja e re përballet edhe me përgjegjësinë kushtetuese për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.

Në mënyrë të veçantë, organizata ka kërkuar nga Pula-Shiroka që t’i kushtojë vëmendje mbrojtjes së karakterit laik të Republikës së Kosovës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë të ndara nga çdo autoritet fetar. Zyrtarët publikë duhet të veprojnë në emër të Kushtetutës dhe të ligjit, jo në emër të bindjeve fetare”, thuhet në deklaratë.

Sipas Organizatës Shqiptaria, laiciteti dhe liria fetare nuk janë kundërshtare, por laiciteti përbën garanci që liria e besimit të jetë e barabartë për të gjithë qytetarët.

Organizata ka deklaruar se ka evidentuar raste që, sipas vlerësimit të saj, cenojnë parimin e laicitetit në jetën institucionale dhe publike, duke kërkuar që ndaj tyre të ketë zbatim të Kushtetutës dhe jo heshtje apo relativizim.

“Prandaj, nga Presidentja e Republikës presim që të përdorë autoritetin dhe kompetencat e saj kushtetuese për të kërkuar nga institucionet dhe zyrtarët publikë respektimin e plotë të karakterit laik të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Organizata Shqiptaria ka uruar Presidenten Pula-Shiroka për detyrën dhe ka thënë se do ta përcjellë me vëmendje çështjen e laicitetit, duke kërkuar që ai të jetë jo vetëm normë kushtetuese, por edhe parim real i funksionimit të shtetit.