Organizata Shqiptaria ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me kualifikimin juridik të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për vrasjen e zyrtarit policor Muhamet Lika, e cila aktualisht është cilësuar si vepër penale “vrasje e rëndë”.
Në një reagim publik, organizata thekson se, pa paragjykuar vendimin përfundimtar të gjykatës dhe duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë, rrethanat e njohura publikisht të këtij rasti kërkojnë një trajtim institucional më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës sesa ai që i rezervohet një krimi të zakonshëm.
Sipas informatave publike dhe raportimeve mediale, polici i ndjerë Muhamet Lika kishte pasur kontakte profesionale dhe probleme të mëhershme me persona të dyshuar për përfshirje në rryma ekstremiste të dhunshme, të cilat kishin qenë objekt i interesimit të organeve të rendit. Organizata vlerëson se këto rrethana e bëjnë të domosdoshëm hetimin e plotë të motivit të vrasjes, përfshirë çdo element të mundshëm të dhunës së motivuar ideologjikisht apo sulmit ndaj institucioneve shtetërore.
“Vrasja e një zyrtari policor, si përfaqësues i shtetit dhe rendit ligjor, nëse kryhet në ushtrim të detyrës ose për shkak të saj, përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike,” thuhet në reagim.
Në këtë kuadër, Organizata Shqiptaria ka paraqitur disa kërkesa konkrete:
-
që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ta shqyrtojë urgjentisht rastin dhe të vlerësojë në mënyrë profesionale dhe të pavarur nëse ekzistojnë elemente të veprave penale që lidhen me terrorizmin apo veprat kundër rendit kushtetues;
-
që të zhvillohet një hetim i thelluar mbi rrethanat, motivet dhe çdo rrjet apo ndikim të mundshëm ideologjik që mund të ketë çuar në këtë akt kriminal;
-
që Presidentja e Republikës së Kosovës të vlerësojë, në përputhje me ligjin dhe praktikat shtetërore, nderimin institucional të zyrtarit policor Muhamet Lika, i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Organizata thekson se polici Muhamet Lika u vra si përfaqësues i ligjit dhe shtetit të Kosovës dhe se çdo qasje që e minimizon këtë fakt përbën padrejtësi ndaj sakrificës së tij, ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj vetë rendit kushtetues.
“Ne nuk kërkojmë paragjykime, por trajtim serioz, profesional dhe të guximshëm institucional. Siguria publike dhe sundimi i ligjit nuk relativizohen dhe nuk negociohen,” përfundon reagimi i Organizatës Shqiptaria.