Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Organizata “Shqiptaria” reagon: “Të ndalet islamizimi i radikalizuar i diasporës shqiptare”

Organizata “Shqiptaria” reagon: “Të ndalet islamizimi i radikalizuar i diasporës shqiptare”

Organizata “Shqiptaria” ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan, fenomenit të “islamizimit të radikalizuar” në mesin e diasporës shqiptare, veçanërisht në Zvicër dhe Gjermani. Në një reagim dhe apel publik, organizata kërkon ndalimin e indoktrinimit fetar, duke e cilësuar atë si rrezik për identitetin dhe vlerat kombëtare shqiptare.

Sipas reagimit, ky fenomen është bërë i dukshëm edhe pas një artikulli të publikuar nga Tages-Anzeiger, ku përmenden raste të vajzave të vogla shqiptare që mbahen me shami dhe mësohen të nënshtrohen. “Kjo nuk është thjesht një çështje fetare – kjo është një përpjekje për të krijuar një identitet të huaj në kombin tonë, duke zbehur vlerat kulturore, kombëtare dhe perëndimore të shqiptarëve”, thuhet në reagim.

Organizata thekson se “shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të jenë përhapës të një ideologjie që kërcënon lirinë individuale, barazinë gjinore dhe identitetin historik”, duke bërë thirrje për reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe intelektualët shqiptarë.

Në apel theksohen disa kërkesa konkrete, përfshirë mbrojtjen e fëmijëve nga indoktrinimi fetar, denoncimin publik të praktikave të tilla, dhe ndalimin e mbajtjes së shamisë për vajzat e vogla në aktivitetet e xhamive shqiptare në diasporë.

Në fund të reagimit, organizata “Shqiptaria” nënvizon se “identiteti i vetëm i shqiptarëve është shqiptar dhe evropian”, duke kërkuar që çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të marrë një përgjigje të fuqishme nga shoqëria.