Organizata “Shqiptaria” ka reaguar lidhur me Liturgjinë Hyjnore të mbajtur më 6 shtator 2026 në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, ku mori pjesë edhe Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije II i Malit të Zi dhe Bregdetit.
Në reagimin e saj, organizata ka kritikuar ashpër pjesëmarrjen dhe bashkëkremtimin, duke e cilësuar atë si një çështje që, sipas saj, tejkalon dimensionin fetar.
“Kjo nuk është thjesht një meshë. Është një çështje dinjiteti kombëtar”, thuhet në reagimin e Organizatës “Shqiptaria”.
Organizata ka shprehur kritika edhe ndaj Mitropolitit të Gjirokastrës, Nathanael, duke pretenduar se bashkëkremtimi me hierarkinë e Kishës Ortodokse Serbe përbën një veprim të papranueshëm ndaj Kosovës dhe kujtesës së viktimave shqiptare.
Sipas “Shqiptarisë”, vizita dhe pritja e një hierarku të Kishës Ortodokse Serbe në Gjirokastër duhet të shihen edhe në kontekstin e marrëdhënieve historike dhe politike mes Serbisë dhe Kosovës.
Organizata ka ngritur gjithashtu pyetje lidhur me pozitën e ortodoksëve shqiptarë të Kosovës dhe pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe mbi objektet e kultit në Kosovë.
Në reagim, “Shqiptaria” i ka bërë thirrje Kryepeshkopit Joan dhe Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që të marrin një qëndrim publik lidhur me këtë ngjarje.