Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Organizata “Shqiptaria” reagon për kërcënimin terrorist ndaj institucioneve në Shqipëri

Organizata “Shqiptaria” reagon për kërcënimin terrorist ndaj institucioneve në Shqipëri

 

Organizata “Shqiptaria” ka dënuar ashpër kërcënimin me bombë ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë, të bërë në emër të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”.

Në reagimin e saj, organizata thekson se kërcënimet në emër të ISIS-it nuk duhet të trajtohen si alarm i zakonshëm, edhe në rast se verifikimet rezultojnë se bëhet fjalë për alarm të rremë.

“Vetë përdorimi i kësaj gjuhe terroriste kërkon reagim maksimal të institucioneve të sigurisë”, thuhet në reagim.

“Shqiptaria” shprehet se prej kohësh ka ngritur shqetësimin për rrezikun e radikalizimit fetar dhe për depërtimin e ideologjive ekstremiste përmes kanaleve të ndryshme, duke përfshirë financime dhe investime të huaja.

Organizata u ka bërë thirrje institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës që të ndërmarrin masa parandaluese dhe të forcojnë monitorimin e përmbajtjeve që promovojnë ekstremizëm, transparencën mbi financimet e huaja dhe mbikëqyrjen ligjore të aktiviteteve fetare jashtë kuadrit institucional.

Një shqetësim i veçantë, sipas organizatës, lidhet me mësimin fetar të paregulluar në xhami, mektebe dhe struktura të tjera jashtë sistemit të kontrolluar arsimor, për të cilin “Shqiptaria” thotë se mund të krijojë hapësira për indoktrinim të fëmijëve dhe të rinjve.

Në reagim theksohet gjithashtu se qëndrimi i organizatës nuk është kundër Islamit apo besimtarëve myslimanë, por kundër ekstremizmit, radikalizimit dhe instrumentalizimit politik të fesë.

“Besimi fetar është çështje personale; terrorizmi dhe indoktrinimi janë çështje e sigurisë kombëtare”, thuhet në reagimin e Organizatës “Shqiptaria”.

Në fund, organizata kërkon nga institucionet që të veprojnë me ligj, transparencë dhe pa tolerancë ndaj çdo forme të radikalizimit.