Organizata “Shqiptaria” ka reaguar ndaj deklaratës së klerikut katolik Don Shan Zefi të dhënë në radion publike gjermane Deutschlandfunk, ku ai u shpreh se “si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”.
Në reagimin e saj zyrtar, organizata e cilëson deklaratën si të papranueshme dhe fyese për një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se ajo nuk përbën debat fetar, por një përpjekje për të vendosur kriter fetar mbi përkatësinë kombëtare.
Sipas Organizatës “Shqiptaria”, identiteti shqiptar nuk është kategori fetare apo institucion kishtar, por është ndërtuar mbi gjuhën, kulturën, traditën dhe kujtesën historike të përbashkët. Në reagim thuhet se pikërisht fakti që shqiptarët nuk u ndanë sipas fesë ka bërë të mundur mbijetesën e tyre si komb, ndërsa çdo tentativë për ta lidhur shqiptarinë me një besim të vetëm përbën deformim të realitetit historik.
Organizata thekson se asnjë klerik, i cilësdo fe, nuk ka të drejtë të shpallë një shqiptar më pak shqiptar për shkak të besimit të tij, duke shtuar se deklarata të tilla prodhojnë përçarje dhe tension të panevojshëm në shoqëri.
Në reagim theksohet gjithashtu se, ndonëse shoqëria shqiptare mesjetare u formua në një realitet të krishterë, procesi i islamizimit gjatë Perandorisë Osmane nuk ndryshoi identitetin etnik shqiptar. Sipas organizatës, ndryshoi besimi, por jo kombi, ndërsa gjuha, zakonet dhe vetëdija shqiptare vazhduan pa ndërprerje.
Organizata “Shqiptaria” vlerëson se deklarata e bërë publikisht cenon bashkëjetesën ndërfetare dhe dëmton harmoninë shoqërore, duke kërkuar tërheqjen e saj dhe një kërkimfalje publike ndaj shqiptarëve myslimanë.
Në përfundim, organizata thekson se shqiptarët nuk janë komb fetar, por komb kulturor dhe historik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën e katolikëve, myslimanëve dhe ortodoksëve, duke nënvizuar se askush nuk ka të drejtë të ndajë atë që historia e ka bashkuar.