Organizata Shqiptaria dënon ashpër veprimin e ndodhur në pasditën e 5 Majit në shpellën e fshatit Akllap të Komunës së Lipjanit, ku priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe kanë tentuar përvetësimin dhe manipulimin e një trashëgimie që i përket historisë, kulturës dhe shpirtit të popullit shqiptar.
Këto veprime i konsiderojmë si përpjekje të papranueshme për uzurpim, falsifikim historik dhe plaçkitje të trashëgimisë kulturore e shpirtërore shqiptare në trojet tona. Askush nuk ka të drejtë të deformojë identitetin historik dhe kulturor të vendeve që i përkasin memories kolektive të popullit shqiptar.
Organizata Shqiptaria kërkon nga organet e drejtësisë, organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme, të hetojnë rastin dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e këtyre veprimeve provokuese dhe të patolerueshme.
Heshtja institucionale ndaj rasteve të tilla vetëm sa inkurajon përsëritjen e tyre. Trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare duhet të mbrohet me çdo kusht dhe me përgjegjësi shtetërore.
Këto veprime janë të patolerueshme dhe cenojnë rëndë harmoninë, historinë dhe dinjitetin kombëtar.