Organizata “Shqiptaria” ka publikuar një reagim të fortë publik në Facebook, duke kundërshtuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me pretendimin se “37 hoxhallarë, imamë dhe shehlerë kanë rënë dëshmorë” gjatë luftës çlirimtare.
Në reagimin e saj, organizata thekson se një deklaratë e tillë përbën “shtrembërim të narrativës së luftës” dhe krijon një perceptim të gabuar se UÇK-ja ka pasur karakter të organizuar fetar. Sipas tyre, kjo nuk qëndron, pasi UÇK-ja përshkruhet si një ushtri e popullit, e ndërtuar mbi baza kombëtare dhe jo fetare.
“Shqiptaria” pranon se në radhët e luftëtarëve kanë qenë individë me formim fetar, por nënvizon se ata nuk kanë luftuar si përfaqësues të institucioneve fetare, por si pjesë e përpjekjes për liri.
Reagimi shkon më tej duke vënë në dyshim saktësinë e shifrës së përmendur nga kryeministri, duke pretenduar se numri prej 37 personash nuk është i verifikueshëm dhe se në listat ekzistuese përfshihen edhe persona që nuk kanë rënë gjatë luftës 1998–1999 apo nuk kanë qenë pjesë e strukturave të UÇK-së.
Sipas organizatës, kjo çështje nuk është më thjesht deklarative, por paraqet një problem serioz institucional, që lidhet me integritetin e listave të veteranëve dhe dëshmorëve.
Në reagim kërkohet:
- nisja urgjente e një procesi të pavarur për verifikimin e listave,
- ndarja e qartë mes dëshmorëve të luftës dhe viktimave të periudhave të tjera,
- largimi i emrave që nuk plotësojnë kriteret,
- si dhe rishikimi i bazës ligjore për këto kategori.
Organizata paralajmëron se nëse nuk ndërmerren veprime konkrete, përgjegjësia do të bjerë drejtpërdrejt mbi kryeministrin dhe subjektin e tij politik.
Në fund, “Shqiptaria” thekson se lufta e UÇK-së është një nga vlerat më të mëdha kombëtare që nga koha e Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe nuk duhet të deformohet apo instrumentalizohet për qëllime politike apo fetare.