Organizata SHQIPTARIA ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për rezolutën e miratuar nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës lidhur me të arrestuarit në Hagë.
Përmes një komunikate për media, organizata vlerëson se kjo rezolutë përfaqëson një qëndrim të drejtë politik dhe moral, duke theksuar se ajo mbron parimet e drejtësisë ndërkombëtare, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të vërtetën historike të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Në reagimin e saj, Organizata SHQIPTARIA riafirmon besimin në pafajësinë dhe në nevojën për një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe transparent për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas komunikatës, mbështetja e organizatës nuk përbën ndërhyrje në proceset gjyqësore, por një qëndrim institucional në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria dhe pavarësia e Kosovës.
Organizata SHQIPTARIA thekson se do të vazhdojë të qëndrojë krah institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe Kosovës në çdo përpjekje për drejtësi, paqe dhe respektim të së vërtetës.
Komunikata është lëshuar në Prishtinë më 14 shkurt 2026.