Organizata “Shqiptaria” ka reaguar kundër Memorandumit Strategjik të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE), duke e cilësuar atë si një veprim që, sipas saj, cenon parimet e shtetit laik dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës.
Në një deklaratë publike, organizata shpreh shqetësimin për përfshirjen e “bankimit me parime islame” në fushat e bashkëpunimit, duke pretenduar se kjo mund të hapë rrugë për ndikim të huaj në sistemin financiar dhe institucional të vendit.
“Ky memorandum nuk është thjesht një bashkëpunim teknik në fushën e financave, por një hap që, sipas vlerësimit tonë, cenon parimin e shtetit laik dhe hap rrugë për ndikime të huaja në institucionet e Kosovës. Kosova është dhe duhet të mbetet një shtet me orientim euro-atlantik dhe perëndimor,” thuhet në reagimin e Organizatës “Shqiptaria”.
Më tej, organizata vlerëson se memorandumi mund të ndikojë në orientimin strategjik të vendit dhe kërkon transparencë të plotë për përmbajtjen dhe zbatimin e tij.
“Shqiptaria” u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta shqyrtojnë këtë memorandum dhe të ndërmarrin veprime për ndalimin e zbatimit të tij, ndërsa institucioneve të sigurisë dhe prokurorisë u kërkon të hetojnë çdo dyshim për korrupsion apo ndikim të huaj në proces.
Në fund të reagimit, organizata u bën thirrje qytetarëve të reagojnë kundër asaj që e cilëson si “islamizim të fshehtë të shtetit” përmes marrëveshjeve ekonomike, duke theksuar se identiteti i Kosovës është shqiptar, laik dhe me orientim europian.