Organizata Shqiptaria ka reaguar lidhur me një postim të publikuar nga Milazim Krasniqi, duke e cilësuar atë si shqetësues dhe duke kërkuar që institucionet kompetente të vlerësojnë nëse përmban elemente të ndonjë vepre penale.
Në reagimin e saj, organizata thotë se përdorimi i shprehjeve si “armiqtë e fesë sonë” dhe thirrja drejtuar besimtarëve që të mos jenë “indiferentë e frikacakë” ndaj tyre, sipas saj, nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje teologjike.
“Një gjuhë e tillë ka potencial të qartë mobilizues dhe përçarës”, thuhet në reagim.
Organizata Shqiptaria ngre pyetjen se çfarë veprimi kërkohet nga besimtarët kur kundërshtarët cilësohen si “armiq” dhe paraqiten si rrezik për komunitetin fetar.
Për këtë arsye, organizata kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit që ta shqyrtojnë publikimin dhe të vlerësojnë, në përputhje me kompetencat e tyre, nëse në të ekzistojnë elemente të nxitjes së urrejtjes, përçarjes, intolerancës fetare apo dhunës.
“Ne nuk kërkojmë censurë. Kërkojmë zbatim të ligjit”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Organizata thekson se Kosova është shtet laik dhe se liria e besimit, e mendimit dhe e shprehjes duhet të respektohet, por sipas saj, këto liri nuk mund të përdoren për mobilizimin e qytetarëve kundër qytetarëve të tjerë.
Në fund, Organizata Shqiptaria shprehet se do të vazhdojë të mbrojë karakterin laik, demokratik dhe qytetar të Republikës së Kosovës.
“Besimi është i lirë. Kritika është e lirë. Debati është i lirë. Por askush nuk është mbi ligjin”, përfundon reagimi.