Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Organizata “Shqiptaria” kërkon suspendim të përkohshëm të Faruk Mujkës: “Ibër Lepenci” nuk mund të kthehet në mjet të axhendave ideologjike, politike apo fetare

Organizata “Shqiptaria” kërkon suspendim të përkohshëm të Faruk Mujkës: “Ibër Lepenci” nuk mund të kthehet në mjet të axhendave ideologjike, politike apo fetare

Organizata “Shqiptaria” përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me deklaratat e qytetarit dhe veteranit të UÇK-së, Agim Pllashniku, për kryeshefin e Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, z. Faruk Mujka.

Në reagim thuhet se pretendimet se punëtorët janë kushtëzuar me vendosjen e shamisë dhe pjesëmarrjen në aktivitete fetare janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës, e cila garanton karakterin laik të shtetit dhe ndalon imponimin e fesë në institucionet publike.

 

Reagimi i plotë:

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” është aset strategjik i vendit dhe duhet të qeveriset vetëm sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Kjo ndërmarrje nuk mund të kthehet në mjet të axhendave ideologjike, politike apo fetare. Çdo tentativë e tillë është abuzim i pozitës zyrtare dhe dëmton rëndë besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Organizata “Shqiptaria” kërkon me urgjencë:

  • Hetim të menjëhershëm nga Inspektorati i Punës dhe Prokuroria mbi këto akuza.
  • Suspendim të përkohshëm të z. Mujka derisa të përfundojnë hetimet.
  • Mbikëqyrje parlamentare dhe transparencë të plotë mbi funksionimin e ndërmarrjes publike.
  • Reagim të qartë të Qeverisë së Kosovës për të garantuar se ndërmarrjet publike nuk do të keqpërdoren për imponime ideologjike apo fetare.

Nëse akuzat e bëra publike nga z. Pllashniku dalin të sakta, atëherë nuk bëhet fjalë thjesht për shkelje të të drejtave të punëtorëve, por për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues, shtetit laik dhe interesave kombëtare të Kosovës.

Organizata “Shqiptaria”