Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Organizata “Shqiptaria” kërkon përgjegjësi për deklaratat e asambleistit Kushtrim Veseli

Organizata “Shqiptaria” kërkon përgjegjësi për deklaratat e asambleistit Kushtrim Veseli

Organizata “Shqiptaria” i është drejtuar kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, lidhur me deklaratat publike të asambleistit Kushtrim Veseli për ndërtimin e kishës në Zogaj.

Në kërkesën e saj, organizata thekson se çështja nuk lidhet me përkatësinë fetare, por me respektimin e karakterit laik të shtetit, barazinë e qytetarëve, zbatimin e ligjit dhe kompetencat e zyrtarëve të zgjedhur.

“Askush, pavarësisht pozitës politike, nuk mund të vendosë individualisht se një objekt fetar ‘nuk do të ndërtohet, pikë’. Në Republikën e Kosovës vendosin ligji dhe institucionet kompetente, jo deklaratat personale të politikanëve”, thuhet në kërkesën e Organizatës “Shqiptaria”.

Organizata ka kërkuar nga Nisma Socialdemokrate që të shqyrtojë përgjegjësinë politike dhe disiplinore të asambleistit të saj, ndërsa nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka kërkuar shqyrtimin institucional të veprimeve dhe deklaratave të tij.

Sipas organizatës, nëse konstatohet se ka pasur shkelje, duhet të ndërmerren masat e parapara me ligj.

“Organizata Shqiptaria do të mbrojë shtetin laik dhe barazinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim feje”, theksohet në deklaratë.

Në fund, organizata nënvizon se për ndërtimin e kishave, xhamive apo objekteve të tjera të kultit vendosin ligji dhe procedurat institucionale, e jo qëndrimet personale të politikanëve.