Në prag të manifestimit madhështor kushtuar ditëlindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një koment provokues në rrjetet sociale ka nxitur reagime të forta dhe një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë nga Organizata Shqiptaria, shkruan TV Arbëria.
Komentuesi, në përpjekje për të hapur debat mbi baza fetare dhe identitare, kishte shkruar: “Ku janë arbëreshët e Zarës, Kroaci? Po ne muslimanët, a të vim a jo?”
Organizata Shqiptaria iu përgjigj publikisht me një ton ironik, por edhe të prerë në qëndrimin e saj:
“Halim Halili, z. Halim, i mirëseardhur je. Shqiptarët e kanë mikpritjen gjithmonë dhe na vjen mirë që një i huaj musliman (boshnjak) po vjen në festën e nderimit të Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Mirë se ardhsh!”
Megjithatë, thelbi i reagimit nuk qëndronte vetëm te ironia. Organizata artikuloi një mesazh të qartë kombëtar dhe identitar: musliman nuk është identitet kombëtar. Kombet përcaktohen nga përkatësia etnike, historike dhe kulturore — shqiptarë, boshnjakë, turq, arabë apo senegalezë — ndërsa feja nuk mund të shërbejë si zëvendësim i identitetit kombëtar.
Reagimi është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka nxitur debat mbi raportin mes identitetit kombëtar shqiptar dhe tendencave për ta interpretuar atë përmes prizmit fetar.
Mesazhi që Organizata Shqiptaria duket se synon të përcjellë është i qartë: manifestimi për Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një festë e shqiptarisë dhe e identitetit kombëtar shqiptar, jo një tribunë për narrativa fetare që synojnë ta zbehin karakterin kombëtar të saj.

/TV Arbëria