Organizata për Kultivimin e Traditës dhe Kulturës “Shqiptaria” ka shprehur falënderim publik për kryetarin e Kryeqytetit, Përparim Rama, si dhe për z. Shyqyri (Sylë) Vitia, për pritjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë organizimit të festimit të datëlindjes së kryeheroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në një reagim publik, organizata thekson se aktiviteti për shënimin e kësaj date do të mbahet më 6 maj në Prishtinë dhe konsiderohet një ngjarje me rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar.
Sipas organizatës “Shqiptaria”, mbështetja e institucioneve për aktivitete të tilla është dëshmi e vetëdijes për rëndësinë që ka kultivimi i trashëgimisë historike dhe figurave që kanë ndikuar në historinë e shqiptarëve.
“Figura e Skënderbeut mbetet një nga shtyllat më të forta mbi të cilat qëndron historia dhe vetëdija jonë kombëtare, ndërsa përkrahja institucionale për ta nderuar atë është njëkohësisht përgjegjësi dhe nder”, thuhet në reagimin e organizatës.
Tutje theksohet se takimi dhe gatishmëria për bashkëpunim me institucionet e Kryeqytetit tregojnë përkushtim për organizimin dinjitoz të këtij aktiviteti tradicional, duke garantuar që 6 maji në Prishtinë të shënohet me rëndësinë që meriton.
Organizata “Shqiptaria” ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kombëtare dhe vlerat historike shqiptare.