Shkruan: Afrim Kasolli
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot përsëri, në tentimin e tretë për ta zgjedhur kryetarin dhe kryesinë. Pa votimin e këtyre organeve përfaqësuese, ky trup i pushtetit qendror, nuk konsiderohet i konstituar. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, e ka nominuar për këtë pozitë, Albulena Haxhiun.
Në dy tentimet e para, ajo nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme. Gjasat janë që edhe sot të dështojë një nismë e tillë. Tri partitë kryesore PDK, LDK dhe AAK, deputetet e Nismës për Kosovën, por edhe partitë minoritare janë kundër këtij emërimi. Në fakt, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Harendinaj ka deklaruar se është i gatshëm ta jap votën pro kandidatit të partisë fituese të zgjedhjeve, por me kusht që në vend të Albulenës të jenë emra si Shqipe Selimi, apo Saranda Bogujevci. Mirëpo, se a do ta plotësojë këtë kusht Lëvizja Vetëvendosje mbetet të shihet.
Sidoqoftë, deri sa vëmendja e opinionit publik mbetet e fokusuar te kjo bllokade e Kuvendit, në ministrinë e Drejtësisë kanë ndodhur disa zhvillime, edhe pse si ministre në detyrë apo dorëheqje, ndaj të cilave nuk reagoi askush nga partitë opozitare. Sipas komunikatës së këtij dikasteri qeveritar, janë emëruar një numër noterësh. A është në pajtim me normat ligjore apo jo u mbetet instancave tjera kompetente ta verifikojnë një gjë të tillë? Por megjithatë është e habitshme heshtja politike e partive opozitare ndaj kësaj dukurie, i cili po ndodh në një kohë të tranzicionit të pushtetit. Zakonisht në të kaluarën tentime të tilla ishin shoqëruar kundërshtime të ashpra politike dhe mediale.
Megjithatë, sjellje e tillë pajtuese e partive opozitare ndaj këtyre veprimeve, krijon përshtypjen ose ky proces ka qenë plotësisht konform normave ligjore dhe është politikisht korretk, prandaj nuk kanë asnjë arsye ta kundërshtojnë, ose mund të ketë edhe individë të lidhur me këto të fundit që kanë përfituar nga këto emërime, dhe për pasojë heshtja ndaj tij është interes i të gjitha palëve.
Nëse hipotetikisht është kjo e fundit, atëherë paradoksalisht jemi përball asaj situate ku partitë opozitare e kundërshtojnë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, por pajtohen politikisht me veprimet e saj si ministre në detyrë, sepse në këtë rast ka përkitje ndërmjet vendimeve të saj dhe interesave të partive opozitare.