Shkruan: Afrim Kasolli
Duke u bazuar në një sentencë hegeliane se “fundi e kuptimson fillimin” disa herë kam shkruar se zvarritja e themelimit të institucioneve qendrore të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit ka qenë një strategji e qëllimshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.
Spektakli më Prjoketbuxhetin për vitin 2026 e konfirmon katërçipërisht këtë qasje. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se të njëjtin do ta dërgojë në Kuvend të Kosovës për miratim. Dhe se në njëfarë mënyrë tash e tutje kalimi i këtij Projektligji nuk është në dorën e tij, por të të gjithë deputeteve, edhe pse i njëjti vazhdon ta mbajë edhe këtë pozitë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme.
Por ligjet pozitive asnjëherë nuk kanë pasur rëndësi për këtë subjekt politik. Për të ka qenë më primare se si ta fitojë aureolën e mishërimit të “drejtësisë popullore”. Madje sa më shumë që thellohet çarja ndërmjet këtyre dy segmenteve, ku subjektet tjera parlamentare shihen si apologjete e të parës, kurse Albin Kurti i së dytës, aq me mirë për të politikisht. Sepse në pajtim në një vokacion populist qëllimi i tij kryesor ka qenë se si ta indoktrinojë opinionin se të parat janë vetëm mjet për të mbrojtur interesat e elitës financiare të ish-regjimit të vjetër, kurse i dyti të jetë të jetë zëri politik i padrejtësive ndaj popullit.
Edhe beteja e re politike me Ligjin themelor të një Qeverie, siç është ai për Buxhetin e shtetit më shumë se për ta kaluar atë (sepse Albin Kurti është i vetëdijshëm që proceduralisht një kalim i tillë në këtë mënyrë është antiligjor), ka për qëllim që t’i pozojë subjektet “opozitare” se të njëjtat jo vetëm që janë të mobilizuara për ta bllokuar partinë fituese të zgjedhjeve, por edhe për t’i privuar shërbyesit publik nga të drejtat e tyre themelore siç është edhe ajo për pagë.
Pra nëse deri më tani shantazhi ndaj tyre ka qenë i fokusuar në raport me Listën Serbe, (se a janë më Albin Kurtin apo me partinë që është instrument i drejtpërdrejt i Beogradit, pavarësisht detyrimeve kushtetuese dhe ligjore të shtetit të Kosovës), tashmë ky kushtëzim ka kaluar në një nivel tjetër. Dhe këtu duhet cekur se subjektet “opozitare” deri më tani i janë nënshtruar me një lehtësi të padurueshme atij presioni patriotik. Madje edhe në kundërshtim me thirrjet publike Ambasadës Amerikane në Prishtinë që të mos bien pre e turqeve të tilla.
Në këtë kontekst, tashmë atyre do t’u duhet të navigojnë ndërmjet këtyre dy presioneve. Në njërën anë ndërmjet solidarizimit më Albin Kurtin me arsyetimin që të mos rrezikohet Ligji mbi Buxhetin, ose në anën tjetër në mbrojte të ligjshmërisë dhe kushtetshmërisë. Natyrisht jo vetëm sot, por që nga certifikimi i zgjedhjeve, ka ekzistuar edhe një opsion i ndërmjetëm. Por si duket sa nga frika e sa nga kalkulimi, e deri te fragmentarizmi i tyre, kanë refuzuar ta ndjekin atë rrugë, sikurse bie fjala krijimi i një Qeverie pa Lëvizjen Vetëvendosje, ku me të këtë rast të mbrohej si ligjshmëria ashtu edhe do të shmangej presioni publik lidhur me mbijetesën financiare të shtetit. Mirëpo, mjerisht deri më tani ato e kanë dëshmuar një aftësi politike. Që janë në gjendje të mbajnë të bllokuar Albin Kurtin, por jo ta tejkalojnë atë. Thuhet se ish-kryeministri britanik Tony Blair një herë i ka ndarë politikanët në dy kategori, “ata që i krijojnë rrethanat dhe ata që i administrojnë ato”. Aktualisht, skena politike është ende duke vepruar brenda rrethanave të krijuara nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje. /TV Arbëria