Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Opozita kundër faljes së 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

Opozita kundër faljes së 100 eurove në faturat e tatimit në pronë

Qeveria e Kosovës miratoi ditë më parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme përmes së cilit tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro apo sa lartësia e faturës.

Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë kundër këtij projektligji. Edhe pse Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka trajtuar të njëjtin, ata thonë se nuk do ta mbështesin.

Deputeti nga PDK, Ferat Shala, kërkon që të anulohet vendimi për vlerësimin e pronës për vitin 2022 dhe të vazhdojë pagesa për tatim në pronë edhe këtë vit sipas ligjit në fuqi pa ndryshime.

“Ne kemi kundërshtuar dhe kemi dhënë rekomandimet tona si duhet të dilet nga kjo situatë e paqartë dhe e paarsyeshme. Tepër e rëndë për ekonominë familjare, pra vlerësimi i tatimit në pronë nga ne nuk është përkrahur dhe nuk do të përkrahet me këtë praktikë dhe pa transparencë. Askush nuk e dinë si është bërë vlerësimi i pronës, kur ka filluar dhe cilat ekipe e kanë bërë këtë. Pra, çdo gjë ka shkuar në mënyrë të fshehtën dhe Ministria e financave me departamentin e pronës kanë bërë një vlerësim paushall, jo meritor, dhe jo të bazuar në kriteret dhe standardet as reale ligjore dhe as demokratike. Në këtë rast ne kemi dalë më propozimin transparent që vendimi për vlerësimin e pronës për vitin 2022 duhet të anulohet, të vazhdojë pagesa për tatimin në pronë edhe në vitin 2023 sipas parametrave dhe ligjit në fuqi pa ndryshim”, thotë Shala.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga qeveria që ta pezullojë rritjen e faturave të tatimit në pronë.

Ne jemi kundër rritjes së tatimit në pronë dhe sërish si parti do të reagojmë për rritjen tatimit në pronë sepse jeta e qytetarëve i është bërë e papërballueshme”, thotë deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku.

Në fillim të këtij viti, pas publikimit të faturave të reja, pati reagim të madh në lidhje me vlerësimin e pronave që çoi edhe në rritjen e pagesës së tatimit në pronë.

Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.
/Arberia TV