Ende nuk dihet përmbajtja e planit të ri të diplomatëve perëndimorë për Kosovën dhe Serbinë.
Për planin e ri të diplomatëve perëndimorë hezituan të flasin edhe deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkohë opozita kërkon transparencë për përmbajtjen e planit.
Madje Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se kryeministri Kurti duhet të raportoj në Kuvend.
“Mendoj se populli i Kosovës ka nevojë ta dijë se për çfarë bëhet fjalë sepse jemi në një fazë që mendojmë se më nuk ka lojëra por duhet konkretisht të ndërmerren hapa për zbatimin e marrëveshjeve apo ndonjë kusht tjetër që mendoj se pala nga Kosova ka të drejtë ta shtoj për shkak të sulmit. Nuk e di se s’kemi pasur qasje nuk ka detaje ska asnjë info është në nivel të spekulimeve megjithatë mendojë e kryeministri duhet në parlament të njoftojë opinionin e deputetëve qytetarët për atë se çfarë është kërkuar nga pala e Kosovës”, tha Qalaj.
Teksa flet për nevojën e transparencës rreth planit të ri, deputeti i AAK-së Pal Lekaj, kërkon nga kryeministri Kurti që të jetë i vëmendshëm në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Sa i përket planit të ri dhe dialogut në përgjithësi deputetët janë në terr informativ s’ka transparence dhe deri më tani askush nuk ka treguar se çka përmban dhe si do ti qasen planit të ri. para se ma pa planin s’mund të them diçka nëse është i mirë apo i pranueshme por i them kryeministrit të jetë i vëmendshëm sepse asnjë asociacion është me kompetenca nuk duhet të pranohet”, deklaroi Lekaj.
Për analistin politik, Artan Muhaxhiri, plani i ri i diplomatëve perëndimor përmban edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sipas tij ky plan është një hap përpara në procesin e dialogut.
“Edhe pse s’ka ndonjë transparencë të madhe sa i përket planit të ri është e qartë se ky plan është një hap përpara një ndryshim sepse pas ngjarjeve në veri ka qenë e logjikshme se s’mund të vazhdohet me sistemin e vjetër të punës prandaj është e logjikshme që emisarët ta kenë ofruar një ide të re……që do ta çoj përpara dialogun. Gjithsesi asociacioni është pjesë e pandashme e secilit debat për procesin e dialogut kështu që më siguri që ai ëhstë brenda kësaj oferte por është me rendësi të identifikohet formati, koha dhe roli i tij në ecurinë e procesit sepse është diçka tjetër nëse është si kush për fillimin e procesit apo do të jetë në fund”, tha Muhaxhiri.
Të shtunën që shkoi, dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak tha në Prishtinë se me diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë po diskutojnë një plan të tyre me drejtuesit e Kosovës dhe Serbisë , por pa dhënë ndonjë hollësi përmbajtjen e planit.
/TV Arbëria