Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “Opozita hajvanat”, Hoxhaj për Kurtin: Mesazhi atë natë ishte përpjekje për t’i treguar elektoratit se ishte i pakënaqur me rezultatin, nuk i mori 500 mijë zemra

“Opozita hajvanat”, Hoxhaj për Kurtin: Mesazhi atë natë ishte përpjekje për t’i treguar elektoratit se ishte i pakënaqur me rezultatin, nuk i mori 500 mijë zemra

Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës ka qenë i ftuar në ARB Debat me Rid Berisha në TV Arbëria ka komentuar zhvillimet politike në vend duke lëshuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në largim, Albin Kurti. Në një intervistë, ai tha se deklarimet e Kurtit ndaj opozitës tregojnë një qasje të qëllimshme për të manipuluar perceptimin publik.

Sipas tij, “mesazhi i tij atë natë që një pjesë e opozitës janë hajvanat, në fakt ishte një përpjekje për t’i treguar elektoratit që nuk ka institucion që është i pakënaqur me rezultatin, që nuk i mori ato 500 mijë zemra”. Hoxhaj shtoi se zhvillimet politike të vitit 2025 nuk kanë qenë befasi duke qenë se, sipas tij, Kurti ishte bllokues i institucioneve. Ai theksoi se “tash është në dorën e qytetarëve me 28 dhjetor që ta mbështesin Partinë Demokratike të Kosovës për ta bërë ndryshimin politik”.

“Qeveria Kurti bllokoi shtetin për 7 vjet; PDK-ja premton anëtarësim në NATO dhe siguri”

Duke folur për rëndësinë e zgjedhjeve, Hoxhaj tha se nuk ka parë një moment më kritik që nga viti 2007. Ai deklaroi se “zgjedhjet e 28 dhjetorit, pas atyre të 2007-s, janë historike”, duke shtuar se nuk ia vlen tani të merret me qeverinë Kurti, sepse ato “do t’i takojnë vetëm historisë”. Sipas tij, “qe 7 vjet e kanë bllokuar shtetin”, ndërsa me një qeveri të re, në bashkëpunim me administratën e Donald Trump, “mund ta anëtarësojmë Kosovën në NATO, sepse siguria është prioritet pasi Serbia po përpiqet ta përmbysë rendin ballkanik”.

Ai shprehu shqetësim edhe për deklarimet e institucioneve amerikane. Hoxhaj tha:

“E di që ky popull nuk e sheh vullnetin politik për bamirësi. Jam i alarmuar kur pashë çfarë tha Kongresi Amerikan, se një kryeministër i Kosovës është obstruksionist. Deklarata të tilla Senati bën veç për Rusinë dhe kundërshtarët e SHBA-ve.”

Në vijim, ai akuzoi Kurtin për manipulim politik, duke thënë:

“Bolshevik, herë e nxjerr një shami të kuqe, herë e nxjerr një lepur të bardhë. Mos i besoni kësaj loje, këtij manipulimi, përrallave të Vetëvendosjes me Listën Serbe. Pse nuk po merr vendim vet në qeveri ta ndalojë Listën Serbe, por po e çon në KQZ?”

Hoxhaj theksoi se vendi po zbrazet dhe se kjo është arsyeja pse këto zgjedhje janë vendimtare:

“Ky vend është duke u shprazur. Prandaj këto zgjedhje janë për ta rikthyer shpresën, besimin dhe optimizmin në Kosovë. Nuk shoh votë më historike se tani.”
Ai tha se Kosova nuk mund të përballojë më një qeveri që kritikohet nga Senati Amerikan, duke shtuar:

“Çka i duhet një vendi një qeverie e tillë ku kritikohet nga Senati Amerikan? Kemi uzurpim klasik të institucioneve që mund ta bëjë vetëm kjo mendësi bolshevike dhe shumë e rrezikshme.”

Në fund, Hoxhaj u pyet për raportet e tij me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ai u përgjigj:

“Unë PDK-së ia njoh edhe plagët edhe tronditjet e saja, por i kam përjetuar edhe fitoret.”

Dhe e sqaroi qartë pozicionin e tij:

“Bedri Hamza është kryetar i PDK-së dhe kryetar i imi, kandidat për kryeministër dhe kandidat i imi.”