Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Opozita e quan populizëm deklaratën e Gjuriqit

Opozita e quan populizëm deklaratën e Gjuriqit

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq u bëri thirrje shqiptarëve në Kosovë që të refuzojnë politikat e përçarjes, që sipas tij, vijnë nga kryeministri Kurti. Partitë opozitare në vend po vlerësojnë se kjo deklaratë ka ardhur vetëm për rritjen e numrit të votave për Kurtin.

“Iu kërkojmë që të refuzoni politikat e përçarjes dhe konfliktit dhe ta na bashkoni në kërkim të respektit të ndërsjellë mbarë sigurisë dhe bashkëpunimit”.

Kështu bëri thirrje ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Sigurisë së OKB-së.

Sipas tij, kjo duhet të ndodhë për të mos pasur konflikt mes Kosovës e Serbisë.

Por këtë deklaratë, partitë opozitare në Kosovë po e shohin si politikë të Serbisë.

“Mendoj që kjo është sa për të bërë politikë, por sa më tepër që atakohet Kurti nga Serbia është e qëllimshme që dihet se qytetarët e Kosovës, çfarë mendojnë për Serbinë, dhe kjo bëhet vetëm për ta rritur votën e Kurtit por jo për t’i mëshuar dhe për të mos votohet Kurti”, tha Pal Lekaj nga AAK.

E nga PDK, deklaratën e Gjuriqit e quajnë populizëm.

“Çdo deklarim i politikanëve të nivelit të Gjuriqit dhe nivelit të politikanëve tanë që bëhet tani, më shumë bëhet për populizëm, të individëve të caktuar, nuk do ta kisha komentuar më shumë, nuk besoj se ka ndonjë ndikim”, tha Hajdar Beqa nga PDK-ja.

Ndërsa nga partia në pushtet thonë se ndikimi i Serbisë në Kosovë ka përfunduar.

“Është shprehje e nostalgjisë së Gjuriqit dhe Serbisë, për kohën kur e kanë pasë ndikimin përmes Listës Serbe në proceset vendimmarrëse në Kosovë, nga zgjedhja e Kryeministrave dhe deri tek marrja e secilit vendim. Por, koha kur Serbia dhe Lista Serbe ka diktuar procesin e vendimmarrjes në Kosovë, ka përfunduar me 14 shkurt 2021, asnjëherë nuk do të rikthehet ajo kohë, Serbia nuk do të ketë ndikim në funksionimin e Institucioneve të Kosovës”, tha Adnan Rrustemi nga VV-ja.

Televizioni ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin.

Powered by WordPress