Opozita në komunën e Prishtinës ka kritikuar punën e qeverisjes se kryetari Përparim Rama për vitin 2023, pasi sipas tyre ky vit është i humbur si për kryeqytetin ashtu edhe për qytetarët.
Ata kanë thënë se ka pasur ngecje në të gjitha aspekte e po ashtu edhe mospërmbushje të premtimeve. Mirëpo nga partia në pushtet në këtë komunë, LDK-ja kanë thënë për EO se viti 2023 është i suksesshëm i qeverisjes Rama.
Gëzim Sveçla, shef i Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes (VV) në Prishtinë, ka thënë se dy vitet e qeverisës në kryeqytet janë vite të humbura për komunën. Sipas tij, kjo dëshmohet me suficitin buxhetor, prej 50 milionë euro që kanë qenë të destinuara për projekte të cilat nuk janë realizuar.
“Me keqardhjen më të madhe e them që këto dy vite janë vite të humbura për Prishtinën. Këtë më së miri e dëshmon suficiti buxhetor i cili do të jetë këtë vit më i madhi ndonjëherë që e ka pasur Prishtina. Më së paku 50 milion euro do të teprojnë, po flasim për 50 milionë euro pare të destinuara për projekte të ndryshme të cilat nuk kanë ndodhur në Prishtinë, kjo më së mirë e tregon se në çfarë stadi është zhvillimi i qytetit. Do të thotë ka mos realizimi të plotë të premtimeve të cilat Rama i ka fituar këto zgjedhje, e ka fituar pushtetin në Prishtinë”, tha ai.
Ai tha se në kryeqytet janë bërë punë “kozmetike” të cilat nuk kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Janë bërë disa punë kozmetike, punë të cilat nuk ndikojnë në përmirësimin e jetës se përditshme të qytetarëve dhe ka më tepër propagandë, ka arsyetime, ka tendencë për me gjete një fajtor për dështim e tyre. E që zakonisht gishtin e drejtojnë ka niveli qendrorë. Kemi të bëjmë me një keqmenaxhim, kemi të bëjmë me një dështim të plotë të kësaj qeverisje. Janë vite të humbura për qytetin dhe për gjithë banorët e Prishtinës”, tha ai.
Gëzim Mehmeti, asamblist nga Aleancës Kosova e Re (AKR) në komunën e Prishtinës, tha se viti 2023 do të jetë një vit dëshpërues për kryeqytetin, kjo sipas tij, duke u bazuar në realizimin shumë të mangëta të projekteve të cilat kanë qenë të planifikuar.
“Për fat të keq do të jetë një vit dëshpërues për qytetin e Prishtinës bazuara në të dhënat e tri periudhat të kaluara, kemi realizim shumë, shumë të mangëta të projekteve të cilat kanë qenë të planifikuar për vitin 2023. Po ashtu kemi një neglizhencë dhe jo seriozitet nga ana e ekzekutivit, mosrespektim të organit më ta lartë këtë rast të legjislativet. Në përgjithësi do të jetë një vit humbës për qytetin e Prishtinës”, tha ai.
Mehmeti tha se çdo punë në kryeqytet është bërë në mënyrë sipërfaqësore e mediatike. Ai tha se as kërkesat e qytetarëve nuk janë realizuar.
“Çdo gjë bëhet në mënyrë sipërfaqësore, mediatike. Kërkesat e qytetarëve nuk janë realizuar kështu që unë mendoj që është një vit shumë dëshpërues. Në gjitha sferat ka ngecje të mëdha, në planifikim të menaxhimit, planifikimit të projekteve, jo seriozitet sa i përket çështjes së bashkëpunimit. Mungesë transparencës dhe shumë çështje të tjera”, tha ai.
Jeta Rafuna, shefe e Asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, tha se viti 2023 është mjaftë i suksesshëm, sipas saj, kryetari Përparim Rama e ka gjetur komunën në një situatë kaotike e me probleme të mëdha.
“Vitin 2023 e konsideroj si një vit mjaftë të suksesshëm të qeverisës Rama. Ishte një vit mjaftë dinamik, gjithëpërfshirës në secilin sektor të komunës. Opozita e ka punën e vetë bënë opozitë, por dihet mirëfilli se kryetari Rama e ka gjetur komunën në një situatë mjaftë kaotike me probleme të mëdha nga qenët endacak e deri tekë ndriçimi publikë e të siguria. Ndërsa ata tetë vite kanë pasur mundësin të bëjnë diçka dhe nuk kanë bërë asgjë”, tha ajo.
Sa i përket kritikave të opozitës për mos përmbushje të premtimeve, Rafuna tha se premtimet e kryetarit janë për mandati katër vjeçar.
Sipas saj, premtimet e mëdha të tij që lidhen me investime të mëdha kapitale janë të buxhetuara dhe të projektuara që të fillojnë në vitin 2024.
“Jemi duke folur për disa premtime që i ka dhënë kryetari Rama në fushat të cilat janë premtime për mandati katër vjeçar. Tani më vetëm po e përmbyllim vitin e dytë dhe premtimet e mëdha të tij që janë investimet e mëdha kapitale janë të buxhetuara dhe të projektuara që të fillojnë në vitin 2024”, tha ajo.
/TV Arbëria