Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Opozita e bënë për pesë pare Qeverinë për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën

Opozita e bënë për pesë pare Qeverinë për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën

Ka kohë që raportet ndërkombëtare janë duke e portretizuar gjithnjë e me tone jo të mira punën e qeverisë së Kosovës në raport me shumë sfera të jetës. Kohë më parë një gjë të tillë e kishte bërë  raporti i Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International. Ky raport, konstatonte se në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor.

Ndërkohë , një vlerësim tejet kritik e ka bërë edhe raporti Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, për vitin 2023. Ky raport ndër tjera bënë fjalë për “probleme serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore”.

Po ashtu, i njëjti raport ka pohuar se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

Për opozitën konstatime të tilla të DASH-it janë pasqyra e saktë se e ku e ka katandisur Kosovën, pushteti i Albin Kurti. Blerta Deliu deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, në rrjetin e saj social ka shkruar se “se në çfarë gjendje e ka sjell vendin Qeveria Kurti, flet më së miri “.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, i cili shpërfaq më së miri paaftësinë e kësaj Qeverie për të ndërtuar institucione të pakorruptura dhe kredibile”. Kurse bashkëpartiaku i saj, Arben Mustafa, ka shkruar se Departamenti i Shtetit të SHBA-së për Kosovën, po thotë se ka “Korrupsion serioz qeveritar’, Ky është rezultati i propagandistëve që nuk lanë gjë pa bërë për të ushqyer shpresa të rrejshme deri sa erdhën në pushtet”, ka shkruar Mustafa.

Në këtë linjë ishin pak as shumë edhe qëndrimet e përfaqësuesve nga partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës. Hykmete Bajrami, deputete e kësaj partie ka shkruar se “Albin Kurti me 14 prill në mbledhjen e Këshillit të LVV-së fliste sikur ata që e dëgjonin ishin dele.

Ai ndër të tjera tha “qytetarët po e ndjejnë se që tri vite nuk po i vjedhë Qeveria” në anën tjetër në tri vitet e fundit ministrat dhe të zgjedhurit e tij kanë nënshkruar plotë 889 kontrata sekrete në vlerë rreth 240 milionë euro. Ky është korrupsioni më i madh qeveritar që ka ndodhë deri me tani. Dhe derisa disa nga ministrat dhe të zgjedhurit e tij shkruajnë kontrata sekrete në katër sy e merren veshë me miq e dashamirë, të tjerë janë zënë në flagrancë duke shly borxhe të kompanive private ndaj shtetit hiq me pas se dhjetra miliona euro” Në fund ajo ka pohuar se Kurti po e fyen intelegjncën e qytetarëve të Kosovës.

Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë nga ky postim i Hykmete Bajramit, po ashtu nëpërmjet një komunikate ka reaguar edhe Lidhja Demokratike si subjekt politik. Në këtë komunikatë thuhet, se “Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pranuar me shqetësim raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit, për Kosovën për vitin 2023. Ky raport është konfirmim i të gjitha shqetësimeve tona të cilat janë ngritur në vazhdimësi. Raporti në fjalë i dha vulë paaftësisë së Qeverisë dhe korrupsionit, siç është cekur edhe në raport “korrupsionit serioz të Qeverisë”.

Po ashtu, vazhdon komunikata e kësaj partie, “LDK, në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen dhe ka denoncuar publikisht dyshimet për korrupsion nga Qeveria, duke përfshirë edhe qindra tenderë sekretë që kjo qeveri ka nënshkruar, në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Pra ka propagandë dhe nuk ka luftë kundër korrupsionit siç pretendon Qeveria e Kosovës, gjë të cilën e vërtetoi dhe raporti DASH-it.”

Prandaj, “Lidhja Demokratike e Kosovës, fton Prokurorinë e Kosovës që të trajtojë të gjitha shqetësimet e ngritura deri më sot. Kërkojmë që prokuroria të zbatojë ligjin pa asnjë pengesë dhe të hetojë me seriozitet të gjitha dyshimet për korrupsion dhe papërgjegjshmëri qeveritare.”

 /TV Arbëria

 

Powered by WordPress