Partitë opozitare dhe partia në pushtet janë përplasur sot (e enjte) në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me themelimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore. Sipas partive opozitare, nevoja për themelimin e këtij komisioni është e domosdoshme pasi ka dyshime të bazuara për abuzime me rezervat shtetërore, ndërkaq në LVV theksuan se kjo është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, pasi prokuroria veçse është duke hetuar këtë rast.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili është edhe iniciues për themelimin e këtij komisioni, tha se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime në rezerva shtetërore.
“Duke pasur parasysh indicet përtej dyshimit të bazuar për abuzime të mundshme të ndërlidhura me procesin e furnizimit me rezervat shtetërore e konsiderojmë të nevojshme që të bëhet hetim i thelluar parlamentar. Me qëllim të ushtrimit të mandatit tonë kushtetues parlamentar theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, veçanërisht kur është parasysh fakti që rezerva shtetërore është e nivelit të prioritetit të sigurisë nacionale”, tha ai.
Mirëpo, themelimin e këtij komisioni e vlerësoi të ngutshëm shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas saj, deputetët opozitarë po dëshirojnë të bëhet hetues duke synuar të bëjnë paralelizma me prokurorinë.
Madje ajo ngriti dyshime se edhe propozimi për kryesues të këtij komisioni është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Ndërkaq, shtoi se shpenzimet e komisionit shkojnë mbi 20 mijë euro si mëditje të deputetëve, e cila sipas saj shkojnë dyfish më shumë sesa vlera e grurit që mungon.
“Ky hetim parlamentar synon të bëjë paralelizëm për diçka që organet e rendit tashmë veçse janë të përfshira. Pyetja për deputetët nënshkrues është shumë e thjeshtë: Nuk po i besoni Prokurorisë? Apo po e konsideroni vetëm hetues më të aftë sesa prokuroria dhe policia e vendit? Zakonisht deri tash fryma e hetimit parlamentar ka qenë që në Kuvend do të duhej të hetohej një çështje për të tërhequr vëmendjen e prokurorisë, ndërkaq, aktualisht prokuroria e ka këtë rast…. Gjithashtu shpenzimet që ndërlidhen me mbarëvajtjen e komisionit hetimor parlamentar që kemi pasur deri tani dhe që kanë zgjatur deri në periudhën e njëjtë kohore shpenzimet shkojnë deri 20 mijë euro. Aty përfshihen mëditjet e deputetëve, angazhimi i ekspertëve, koha nëse ka nevojë edhe për fluturimin që duhet të intervistohen nga vendet të tjera. Pra, kjo vlerë është gati dyfish më e madhe sesa krejt vlera e grurit që po e kontestoni”, theksoi ajo.
Por asaj i reagoi iniciuesi i themelimit të komisionit, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se ky komision nuk ndërhynë në punën e prokurorisë.
“Prokuroria e ka punën e vet dhe komisioni nuk lyp dokumente prej prokurorisë. Prokuroria vazhdon punën e vet, ndërkaq komisioni ka tri fusha kryesore të hetimit. Hetimin administrativ, hetimin ligjor dhe kushtetues dhe keqpërdorimet e mundshme. Prokuroria merret vetëm me këtë të fundit, por nuk e përjashton që komisioni me u marrë dhe gjetjet e veta t’i dërgoj në prokurori”, shtoi ai.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se thellimi i këtij komisioni është i domosdoshëm për ta vënë në pah skandalin e ekzekutivit me rezervat shtetërore.
Ai sqaroi se të gjitha procedurat për themelimin e komisionit janë në bazë të Rregullores së Kuvendit, derisa shprehu gatishmërinë që dy deputetë të PDK-së të heqin dorë nga mëditjet në këtë komision.
“Partia Demokratike e Kosovës e mbështet këtë iniciativë por nuk është iniciues. Kjo është e qartë edhe në ligj, që iniciuesit nuk i takon kryesuesi në këtë rast, e jo nënshkruesi. Nëse cilësohemi si iniciues edhe ai person që vjen nga PDK-ja që nuk është nënshkrues nuk mundet me qenë kryesues i këtij grupi… Ne nuk po kërkojmë të bëhemi hetues. Kjo është një e pavërtetë që po thotë zonja Kusari, por po kërkojmë të kryejmë mandatin tonë si deputetë në bazë Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta i jep Parlamentit mundësinë të ketë hetim parlamentar, andaj ne po kërkojmë të shfrytëzojmë një të drejtë që na takon”, deklaroi Tahiri.
Të nevojshme themelimin e këtij komisioni e shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Ne dëshirojmë me pa këtë skandal, mega-skandal të një mashtrimi të madh në perspektivën politike, pasi ju keni ardhur në pushtet duke thënë ‘lufta kundër korrupsionit dhe ndaljen e gjakderdhjes’ po ashtu duke folur për rezervat shtetërore që s’jeni ndal duke folur që ne i kemi harxhuar. Tash ne po dëshirojmë me pa sesi e keni trajtuar ju”, tha ai.
/TV Arbëria