Opinionisti Shkumbin Misini, i ftuar në emisionin “N’Pult” në TV Arberia, ka kritikuar ashpër klasën politike në vend, duke e cilësuar lidershipin e Kosovës si të papërgjegjshëm dhe të fokusuar në pushtet, jo në mirëqenien e qytetarëve.
Misini u shpreh se vendi po përballet me pasojat direkte të keqmenaxhimit politik.
“Është fatkeqësi e këtij vendi që lidershipin nuk e kemi të përgjegjshëm, po interesi i tyre është për pushtet dhe për para, po nuk e ka interesin e mirëqenies së qytetarëve”, tha ai.
Ai ndali te fakti i mbajtjes së katër palë zgjedhjeve brenda një viti, të cilat, sipas tij, kanë kushtuar shtrenjtë buxhetin e vendit.
“Vet fakti që kemi katër pale zgjedhje brenda një viti, që buxheti i Kosovës i kushtoi rreth 26 deri 28 milionë euro, kur nëpërmjet këtyre mjeteve financiare kishum mundur me i konvertu në kopshte publike”, tha Misini.
Sipas opinionistit, këto mjete do të kishin kontribuar ndjeshëm për qytetarët e komunave me frekuentim të lartë.
“Do të kishin ndiku pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve, sidomos në komunat ku ka frekuentim shumë të madh, siç është komuna e Prishtinës, e Ferizajit, e Fushë Kosovës, Lipjanit e të tjera”, shtoi ai.
Misini theksoi se nëna të shumta do të përfitonin nga ndërtimi i kopshteve publike.
“Ato nana që kujdesen për ta do të kishte qenë një lehtësim shumë i madh, për arsye se do t’i kishin dërgu fëmijët në kopsht publik me një kosto shumë të ulët, dhe ato do të kërkonin punë pastaj e përmes punësimit ato do të kontribuonin në buxhet të Kosovës”.
Sipas tij, nga 26–28 milionë eurot e zgjedhjeve mund të ndëroheshin deri në 20 çerdhe.
“26 apo 28 milionë euro që janë shfrytëzu për zgjedhje do të kishin mundur të ndërtoheshin 18 deri në 20 çerdhe apo kopshte, ku do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e buxhetit të shtetit përmes punësimit”, u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, Misini akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Është papërgjegjësi, lidershipi kosovar aktualisht që është përgjegjës kryesor, është kryeministri në detyrë, Albin Kurti është përgjegjësi kryesor përmes vakumit të cilin e ka krijuar, për arsye se më shumë e ka luajtur rolin e një lidershipi dekonstruktiv se sa konstruktiv”, tha ai.
Ai foli edhe për pretendimin e Kurtit për fitore mbi 50%.
“Ajo që më mund të ketë pretendime të fitojë mbi 50%, ajo formulë ka vdekur kohë më parë, sepse ky e ka pasur 51% dhe shikoji rezultatet, pra nuk kemi kurrfarë rezultate, përpos një xhokeri që e përdor për nacionalizëm, çështjen e Mitrovicës, bashkimin e saj, sundimin e ligjit e të tjera”, deklaroi Misini.
Ai akuzoi Kurtin për mosrespektim të institucioneve dhe për dështim në realizimin e premtimeve.
“Në anën tjetër ai vetë nuk i respekton institucionet shtetërore, duke përfshirë rastin konkret ku nga premtimet që i ka dhanë dhe 51% të cilin e ka fitu, ai e ka fitu nga papërgjegjësia e PDK-së dhe LDK-së, sepse lidershipi i tyre nuk kanë qenë të reformum, nuk kanë bërë reforma të thella”, u shpreh ai.
Misini tha se Kurti e kishte një mundësi të artë për reforma thelbësore, të cilën e ka humbur.
“Edhe ky e ka fitu një mundësi të tillë, një mundësi të artë të cilën e ka pasë për të bërë zgjidhje fundamentale, reforma fundamentale të Kosovës, për një ndryshim radikal në mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, përfundoi ai.