Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidencës njofton se në takim Osmani ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit.
Ajo ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës.
“Presidentja Osmani ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheq trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin. Për më tepër, ajo ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenkoviq për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral ne fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë, teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.
/TV Arbëria